Historiku i Inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale
Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale (ISHVL) është themeluar me Ligjin për Inspektoratin Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” Nr. 158/10, 187/13, 43/14 dhe 64/18). Ligji rregullon kompetencën dhe organizimin e Inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisjen Lokale, llojet dhe procedurat për kryerjen e inspektimit, autorizimet e inspektorëve, bashkëpunimin me organet e administratës shtetërore, qytetarët dhe personat e tjerë fizikë dhe juridikë.
Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale është organ në kuadër të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, por nga 01.06.2014 me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë fitoi statusin e një institucioni të pavarur qeveritar me udhëheqësi që në mënyrë të pavarur merr vendime në përputhje me kompetencat e institucionit. Me punën e Inspektoratit udhëheq drejtor, i cili emërohet dhe shkarkohet drejtpërdrejt nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisjen Lokale përgatit një program vjetor dhe raport, si dhe plane tre mujore për punën e inspektorëve, të cilin ia paraqet Qeverisë dhe Këshillit të Inspektimit.
ISHVL ka statusin e personit juridik, me llogari buxhetore të saj si shfrytëzues i buxhetit nga linja e parë, kryen në mënyrë të pavarur procedurat e punësimit në përputhje me ligjin dhe vendos për të drejtat dhe detyrimet e punës.
Angazhimi dhe qëllimi kryesor i ISHVL është të sigurojë sistem më efektiv, efikas dhe të rregulluar ligjërisht të mbikëqyrjes së ligjshmërisë së akteve të komunave, Qytetit të Shkupit dhe komunave në Qytetin e Shkupit (në tekstin e mëtejmë: komunat), në mënyrë që të përmirësojë ligjshmërinë e tyre.
Inspektorati, si person juridik i pavarur, në periudhën e kaluar, në përputhje me ligjin, mbikëqyr ligjshmërinë e rregulloreve të komunave, si dhe mbikëqyr procedurën për miratimin e tyre.